
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar një vendim për dhënien e një
kredie dyvjeçare prej 520 milionë dollarësh për Bosnje e Hercegovinën.
Sipas raportimeve të “REL”, vendimi u miratua mbrëmjen e së mërkurës në Uashington, me synim mbështetjen e programit ekonomik të Sarajevës zyrtare.
“Në muajt e fundit rimëkëmbja ekonomike në Bosnje e Hercegovinë është ngadalësuar”, kanë vlerësuar anëtarët e bordit drejtues të FMN-së.
Vendimi i miratuar parashikon lëvrimin e këstit të parë prej 78 milionë dollarësh, ndërsa këstet e tjera do të lëshohen në bazë të zbatimit të programit ekonomik.
Në fund të muajit të kaluar Bosnja e Hercegovina kërkoi kredi dhe një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar për shkak se vendi ndodhet në krizë.
Udhëheqësi i Këshillit të Ministrave, Vejkoslav Bevenda deklaroi se Bosnjës i duhej një kredi prej 400 milionë eurosh pasi rrugëdalje tjera nuk kishte.
Institucionet boshnjake kishin afat deri më datë 7 shtator për të paraqitur rishikimin e buxhetit, në mënyrë që FMN të aprovonte kredinë që do të ndihmojë vendin për të përballuar krizën.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë kusht rishikimet e buxhetit për të zvogëluar shpenzimet dhe për të vënë më shumë rend në financat publike.
Shumë shtete të rajonit kanë kërkuar ndihmë viteve të fundit për arsye se borxhet janë shumë të mëdha, në veçanti Serbia që ka një mungesë prej 2.2 miliardë eurosh në buxhet.
Top Channel