
Ata nuk bëjnë dallime mes njerëzve. Për ta nuk ka rëndësi se cilit besim i përkasin, nuk ka rëndësi se nga cili fshat janë apo nëse ata njerëz nuk kanë jetuar ndonjëherë në komunitet.
Dëshira kryesore është t’i ndihmojnë. Për të arritur këtë qëllim kanë gjetur një mënyrë krejt të veçantë.
“Vlen të theksohet dhe të rekomandohen frutat e pyllit, të cilat janë 100%, si boronica që më përpara shkonte dëm nëpër male dhe e hanin zogjtë. Tani njerëzit e dinë që boronica ka vlera të pazëvndësushme në orgnizëm, së bashku me luleshtrydhet e bjeshkës apo fruta të tjera pylli”, tregon Dod Marina, administratori në famullinë e Shën Kollit. Por, cila ka qenë ideja fillestare në gjenezat e saj?
“E gjithë kjo ide ka nisur me një projekt që ka propozuar rajoni i Toskanës, bashkë me një shoqatë të grave që merren me bujqësi atje. Si ide fillestare ishte se si mund të gjejmë një mënyrë që të vëmë në punët tokat e vështira dhe sidomos ato që njerëzit i kishin braktisur”, rrëfen Don Giovanni, me një shqipe të përkryer.
Famulltari Don Giovanni kërkon me këmbëngulje prodhimin e produkteve bio. Ai ka bërë kërkime mbi të mirat e këtyre produkteve dhe ia njeh vlerat.
“Prodhimet bio janë të rëndësishme edhe nga pikëpamja parimore, pasi njeriu arrin të marrë atë që vetvetiu i ofron natyra dhe Zoti, e që pa dyshim kanë rezultate më të mira. Në këtë famulltari mund të marrim një rendiment edhe më të lartë apo të prodhjojmë një numër tjetër prodhimesh, por nuk e bëjmë pasi kjo do të kërkonte nevojën e pesticideve”, shton at Giovanni.
Me kalimin e kohëve dhe rritjen e profesionalizmit, banorët e zonës filluan të merreshin edhe me botën shtazore.
“Një pjesë të njerëzve i mbajmë këtu për t’u treguar se si të përpunojnë derrin ose i ofrojmë mundësi për të ruajtur produktin, në mënyrë krejtësisht natyrale, gjatë kohës së stazhonimit. Kështu, edhe mishi ka më shumë vlera dhe është shumë më i shijshëm”, vlerësoi Marina.
Edhe në këtë rast u punësuan njerëz, u morën nisma të reja dhe ndoqën hap pas hapi çdo proces për një produkt pa konservate.
“Nuk ka asnjë ndërhyrje në ushqimin e derrave, nuk ka koncentrate, por vetëm ushqim të bazuar tek misri, patatja dhe pa dyshim, derrat ushqehen natyralisht në terren. Ju patë se një vend i madh është i refervuar për këto derra dhe pas therrjes, stazhonohen në yndyrrën e tyre në vend, duke u lyer vetëm me piper që shërben për të larguar insektet”, shtoi administratori.
Familjet që punësoheshin aty bëheshin kuriozë për këto produkte. Dikur eksperimentet e gatimit në këto zona ishin të pakta, por kur provuan për herë të parë produktet që me duart e tyre prodhonin, gjithçka filloi të ndryshonte.
Sipas Dodës, “njerëzit kanë krijuar një detyrim duke dashur të imitojnë këto projekte. Ne kërkojnë trajnime dhe specialista të huaj, por shumë familje kanë tendenca të jetojnë me këto receta ushqimore”.
Por, nuk mbetet me kaq sepse në stinën e verës fëmijët endeshin rrugëve pa asnjë qëllim në vetvete.
“Gjatë periudhës së verës, fëmijët që nuk janë në shkollë nuk kanë qendra ku mund të angazhohen në aktivitete të ndryshme dhe një pjesë e tyre kalojnë në varfëri materiale dhe shpirtërore këto muaj. Ne i angazhojmë në grumbullimin e manaferave, boronicave, luleshtrydheve, duke i dhënë një çmim favorizues. Megjithatë, e mira më e madhe është se ata mësohen të fitojnë bukën me djersën e ballit”, theksoi administratori i famullisë.
Përveç bimëve mjekësore, produkteve të mishit, të punësuarit filluan të merrnin mësime edhe për prodhimin e llojeve të ndryshme të reçelit dhe pijeve.
“Pjesa më e madhe në këto rafte janë kavanozat me reçel. Ne kemi reçel boronice, por kemi edhe manafera, luleshtrydhe, kemi reçelrat që vijnë nga pemët që kultivojmë, liker me ara të njoma, me mente, me kolumbria, që është një frut i egër, me një shije shumë të mirë”, tregoi Don Giovanni.
Dava Mhilli është një nga zonjat e para të punësuara. Sot ajo ka 7-vite eksperiencë në prodhimin e produkteve bio.
“Kam shtatë vjet që punoj këtu dhe falenderoj zotin që si famullitarë kanë marrë përgjegjësinë e gjendjes ekonomike të Pukës dhe familjen me këtë rrogë po e mbaj. Erdhëm përpara shtatë vitesh, nisëm punë dhe gjendja ekonomike është përmirësuar ndjeshëm, pasi me këtë rrogë mund të jetojmë”.
Në gjithë këto vite ata njerëz kanë marrë një mësim.
“Nëse natyrës do t’i shërbesh, ashtu siç bëjmë ne, edhe ajo do të përgjigjet më mirë. Është pikërisht kujdesi dhe harmonia me natyrën ajo që na lejon të nxjerrim këto frute dhe të zhvillojmë këtë aktivitet tonin”, përfundoi Dod Marina.
Top Channel