Në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, presidenti i Republikës Bujar Nishani ka bërë një sërë takimesh me krerë dhe personalitete nga vende të ndryshme, mes të cilëve spikat presidenti i SHBA, Barack Obama.
Veç pjesëmarrjes në takimin e përvitshëm të federatës panshqiptare Vatra, zoti Nishani është takuar me kryeministrin italian Mario Monti, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypaleshe, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Kreu i shtetit është takuar edhe me presidentin sllovak dhe me kryeministrin slloven. Presidenti bullgar ishte një tjetër takim i zotit Nishani, ashtu si dhe kryeministri i Butanit.
Në përfundim ka patur edhe një takim të veçantë me aktorin e famshëm të Hollivudit, Robert de Niro, i cili ka deklaruar së fundmi se në venat e tij ka edhe gjak shqiptar.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, siç njofton zyra për shtyp e kësaj ministrie, ka zhvilluar takime me 9 ministra të Jashtëm të vendeve të ndryshme të botës, pesë prej të cilëve janë homologë nga vendet anëtare të BE-së.
Krahas çështjeve të integrimit, temë e bisedave me zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme në Nju Jork ka qenë edhe lobimi për njohjen e Kosovës, forcimi i bashkëpunimit ekonomik me vende të ndryshme, si dhe tërheqja e investimeve në Shqipëri.
Top Channel