
Ish-futbollisti i kombëtares agjentinase dhe disa klubeve të Serisë A, Matias Almeyda, tregoi se si ka jetuar një jetë të tërë mes alkoolit, cigareve, drogës, mafias dhe depresionit, në një autobiografi tronditëse prej 300 faqesh, të sapopublikuar në vendin e tij.
Një vend kyç në këtë libër, zinin dhe historitë tronditëse të dopingut dhe ofertave për fiksim ndeshjesh kur luante në radhët e Parmës apo Lacios.
Aktualisht trajneri i gjigantëve të River Plate, në një pjesë të librit shkruante se “gjatë të gjithë karrierës kam konsumuar nga dhjetë cigare në ditë. Edhe alkooli ishte problem për një fare kohe. Digjia gjithçka në stërvitje, por jetoja në ekstrem. Një herë, në Azul, krahinën nga vij, piva pesë litra verë sikur të ishte “Coca Cola” dhe përfundova në gjendje kome. Atë kohë luaja tek Interi dhe kur u zgjova, e gjithë familja ishte rreth krevatit. Mendova se po shihja funeralin tim”.
Njeriu që punësoi disa “të fortë” argjentinas si truproja pas një sherri me ultasit, tregoi edhe kontaktet e tij me mafian kur luante me Parmën. “Pas një mosmarrëveshje për zgjatjen e kontratës kur luaja tek Parma, më ndalon policia dhe më merr makinën pa bërë asgjë. Disa ditë më pas më vjedhin makinën e re dhe më hyjnë në shtëpi. Nuk vodhën asgjë, por lanë një mesazh mafioz. Gruaja ime pësoi një lindje të parakohshme dhe atëherë vendosa të largohem përgjithmonë nga ai qytet”.
Pikërisht në radhët e Parmës, Almeyda denoncoi edhe një skandal dopingu dhe të lënies së një ndeshje vendimtare. “Tek Parma na bënin një shiringë përpara ndeshjeve. Na thonin se ishte një përbërës vitaminash, por nuk e besoj, energjia që të jepte ishte e pabesueshme. Prandaj ka edhe kaq shumë futbollistë që vdesin nga zemra. Mendoj se është faji i këtyre produkteve”.
Përsa i përket ndeshjes së fiksuar apo lënë, diçka të cilën Almeyda nuk e di, ai i referohet kampionatit të vitit 2000-01. “Luanim kundër Romës dhe ata luanin për titull, ndërsa ne për asgjë. U propozua që të linim kundërshtarët të fitonin, por unë tashë jo, së bashku me pjesën më të madhe të skuadrës. Megjithatë, në fushë disa futbollistë nuk vraponin si gjithmonë, ndaj kërkova zëvendësim dhe shkova në shtëpi. Atë ndeshje e humbëm, por nuk e di në ishte një favor apo në kishte edhe para në mes”.
Në fund të karrierës së tij, kur kaloi në radhët e Interit, mesfushori argjentinas nisi të vuante nga probleme psikologjike. “Pësova dëmtime, kalova shumë kohë pa luajtur dhe kisha kohë të bollshme për të menduar. Tek Interi kishte një psikologe, që më dha një kurë për goditje paniku, por nuk e respektova. Kuptova që duhet të bëja diçka kur vajza ime e vogël më pikturoi si një luan të trishtuar dhe të lodhur. Që prej atëherë, vazhdoj të marr rregullisht antidepresantë dhe ilaçe gjumi”.
Top Channel