Më shumë se 900 persona kanë kërkuar shërbime në Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës, që kur është hapur kjo zyre nga Qeveria e Kosovës, para dy muajsh.

Adrijana Hodziç, teksa na prezantonte ambientet e brendshme të kësaj zyreje, gjatë së martës, tregon se puna në këtë zyre po ecën me hapa të sigurtë dhe se po mundohen që çdo veprim të jetë në përputhje me nevojat e qytetarëve.

Gjysma e atyre që kanë kërkuar ose marrë shërbime në këtë zyre vijnë nga radhët e komunitetit serb të kësaj pjese.
 
”Ne po evidentojmë çdo kërkesë të qytetarëve. Deri tani, dy muajt e fundit kemi regjistruar 900 qytetarë të pjesës veriore, prej tyre të paktën 50% janë të komunitetit serb. Kërkesat janë të shumta, mes tjerash kemi kërkesa për pajisje me letërnjoftime, targa të reja të veturave, e dokumente tjera shoqeruese”, deklaroi Hodzic, shefja e zyrës administrative.

Përveç këtyre, ata që vijnë të kërkojnë ndihmë janë edhe familje me kushte të rënda jetese, që kërkojnë rinovimin e shtëpive apo edhe për të ndihmuar në shkollimin e fëmijëve.

Në Zyrën Administrative që ndodhet në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, punojnë më shumë se 50 persona

Pavarësisht problemeve të herëpashershme në lidhje me sigurinë e tyre, punëtorët e Zyrës Administrative vazhdojnë punën e tyre të përditshme, për t’u ofruar shërbime qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës.
 
Shefja e kësaj zyre, Hodziç, thotë se deri më tani tre automjete të punonjësve të kësaj zyre janë djegur, por sipas saj, askush deri më tani nuk e ka lëshuar vendin e punës dhe se është e kënaqur me motivimin e punëtorëve.

 “Ne të gjithë si staf këtu, përfshirë edhe mua, jemi të gatshëm që ta vazhdojmë këtë, ta quajmë ‘luftën tonë’ për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për ardhmërinë tonë dhe mosfunksionimi i ligjit është absolutisht e papranueshme”, shtoi Hodziç.

Sidoqoftë, hapja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës vlerësohet si përgatitje e terrenit për themelimin e komunës në këtë pjesë të qytetit… 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA