Andrea Stramaccioni ka besim tek Interi i tij dhe është i qetë, pavarësisht se zikaltërit kanë humbur ndeshjen e fundit në San Siro me rezultatin 0-2 ndaj një kundërshtari si Siena.
“Mbase nga jashtë gjendja duket më keq se ç’është në të vërtetë”, thekson Stramaccioni në prag të ndeshjes ndaj Chievo në transfertë (e mërkurë, ora 20.45).
“Kritikat për humbjen ndaj Sienës janë të drejta, por llogaritë bëhen në fund. Nuk jam nga ata tipa që ekzaltohem kur gjërat shkojnë mirë apo bien moralisht kur shkojnë keq. Ndaj Sienës krijuam 8 raste goli dhe nëse do të shënonim një gol gazetarët do thonin që jemi fenomenë”, deklaroi tekniku i ri italian.
Kur u pyet nëse dyshja Cassano-Snejder nuk përshtatet nga ana taktike, Stramaccioni u përgjigj: “Nuk është e vërtetë aspak. Ndaj Sienës, Cassano jep një pasim të shkëlqyer për Snejder duke e nxjerrë përballë portierit. Nëse Wesley do të kishte shënuar do të flisnim për një dyshe të mrekullueshme tani. Më takon mua të vendos se kur do të luajnë bashkë në formacion e kur do të futen lojtarë të tjerë.”
Top Channel