Kryetari i Parlamentit grek Evangjelos Meimarakis ka deklaruar se do të pezullohet përkohësisht nga detyra pas publikimieve në dy gazeta të së dielës, që e akuzojnë për pastrim parash nëpërmjet shitblerjesh pasurish të paluajtshme prej miliona eurosh.
Kështu ai u ka deklaruar dy nënkryetarëve të parlamentit dhe kryetarëve të partive parlamentare si i është paraqitur kryetarit të Gjykatës së Lartë për të përshpejtuar procedurat, derisa të përfundojë hetimi i dosjes së tij nga Shërbimi i Ndjekjes së Krimit Ekonomik.
Sipas një deklarate për shtyp ai ka deklaruar gjithashtu se ne menyre katigorike nuk ka asnje lidhje me akuzat ne shtypin grek dhe se kerkon qe te pastrohet sa me shpejt emri i tij, pasi në këtë mënyrë krijohet një klimë destabilizimi në vend, në momentet kur parlamenti do të votojë për paketën e masave prej 11.5 miliard euro, në mënyrë që të marrë këstin e paketës së shpëtimit nga kreditorët e huaj.
Qeveria greke duket se është më se e vendosur se kurrë të fillojë një katarsis në klasën politike të vendit duke zbuluar rastet kur deputetë apo ministra janë pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme dhe kanë kryer evazion fiskal duke transferuar paratë e depozitave jashtë vendit.
Ministri i Financave ka pranuar se drejtësia greke ka filluar tashmë të hetojë 32 dosje të politikanëve vendas për korrupsion, ndërsa duket se listes i janë shtuar edhe 18 të tjerë.
Emrat e tyre janë botuar në gazetën e së dielës “Proto Thema” dhe “Real Neës”, ku midis të tjerash spikatnin përvec emrit të kryetarit të Parlamentit dhe dy ish-ministra të Demokracisë së Re të akuzuar se janë përfshirë në afera parash.
Me interes tashmë pritet ditën e mërkurë edhe mbledhja e komisionit parlamentar për kontrollin e pasurisë së deputetëve dhe të partive greke, në të cilin marrin pjesë edhe tre gjykatës të lartë, të cilët do të publikojnë listën të gjithë atyre personave që kanë fshehur të ardhurat apo janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.
Sipas analistëve vendas ekziston frika se nëse vërtetohen publikimet e gazetave për politikanët e korruptuar, do të ketë një reagim të papërmbajtur të shoqërisë greke, pasi nuk do të ketë asnjë baze morale dhe aq më tepër ligjore që disa persona të kësaj klase politike të akuzuar për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm, të votojnë masat shtrënguese që do reduktojnë akoma më shumë pagat dhe pensionet e qytetarëve tashmë të rraskapitur nga kriza.
Top Channel