Greqia do të ketë nevojë për 15 miliardë euro më shumë nga huaja e akorduar, nëse do t’i akordohet një zgjatje 2-vjeçare për shleyerjen e borxheve.
Megjithatë, ministri i Financave, Yannis Stournaras deklaroi për “Reuters” se Athina mund të sigurojë paratë e nevojshme pa ndihmë nga vendet e Eurozonës.
Aktualisht, fqinji ynë jugor është duke u përpjekur që të realizojë reformat e nevojshme shtrënguese për të marrë këstin e radhës prej 33,5 miliardë eurosh, pjesë e një kredie prej 130 miliardë eurosh e mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe vendet e Eurozonës.
Më herët, vendi helen iu akordua një paketë prej 110 miliardë eurosh, në maj 2010.
Greqia ka nevojë absolute për këstin e radhës për të paguar detyrimet dhe për të përballuar detyrimet thelbësore në buxhetin kombëtar.
Pa huanë, Athina do të ishte e detyruar të shpallte falimentimin dhe të tërhiqej nga pagimi i të gjithë borxheve të saj.
Një lëvizje e tillë do të sillte automatikisht edhe daljen nga euro dhe rikthimin në një monedhë vendase dhrahmi tejet të zhvlerësuar.
Top Channel