Vrau klientin, dyshonte se i ngacmonte gruan

24/09/2012 00:00

Vrau një klient të përhershëm të lokalit të tij, pasi dyshonte se i
ngacmonte gruan, tashmë do të përballet me akuzat e vrasjes me
paramendim. Gentian Liçaj, 36 vjeç, banor i fshatit Buzëmadh të Komunës
së Cakranit në Fier, akuzohet nga prokuroria për ekzekutimin e Ylli
Kalemajt, ish-rojës së materialeve të kompanisë që ndërtonte autostradën
Levan-Damës vitin e kaluar.

Grupit hetimor, i kryesuar nga prokurorja Elsa Miha, i është dashur jo pak punë që të identifikojë Gentian Liçajn, mes të dyshuarve për vrasjen e Ylli Kalemajt. Dyshohet se Liçaj e kishte planifikuar mirë skenarin e krimit të tij.

Por, është “tradhtuar” nga kontradiktat që ka pasur dëshmia e tij nga ajo e bashkëshortes. Pas kësaj kontradikte, prokuroria ka urdhëruar përgjimin ambiental dhe të bisedave telefonike të të dyshuarit dhe bashkëshortes, prej nga kanë siguruar prova, që e kanë detyruar të pandehurin Liçaj të rrëfehet për të disatën herë para hetuesve, duke dhënë më në fund versionin që dyshohet të jetë më afër së vërtetës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB