
Takimi Rayo Vallecano – Real Madrid duhej të luhej të dielën në orën 21.30, por një problem me prozhektorët e stadiumit bëri që ajo të shtyhej për të hënën në orën 19.45.
Gjysma e fushës së Vallecas ishte pa ndriçim për shkak të këtij problemi elektrik që nuk u zgjidh dot në kohë duke bërë që arbitri Fernandez Borbalan të vendoste shtyrjen e takimit.
Sipas presidentit të Rayo Vallecanos bëhet fjalë për një sabotazh: “Ishte një sabotazh, disa vandalë kanë prerë kabllot elektrikë. Nuk e di si kanë mundur të shkojnë deri tek kabllot sepse hyrja është shumë e vështirë, por është e qartë që ishte një atentat ndaj stadiumit tonë.”
Klubi i vogël i kryeqytetit spanjoll ka dyshime se bëhet fjalë për diçka të organizuar mirë dhe nga njerëz profesionistë sepse prerja e kabllove ka rrezik të lartë për jetën.
Ndeshja Rayo Vallecano – Real Madrid është e vlefshme për javën e pestë të kampionatit spanjoll. Rayo renditet në vendin e shtatë me 7 pikë, ndërsa kampionët në fuqi të Spanjës pozicionohen në vendin e gjashtëmbëdhjetë me vetëm 4 pikë, plot 11 pikë larg Barcelonës së vendit të parë.
Top Channel