Debati parlamentar për privatizimin e ndërmarrjeve publike në Kosovë më në fund është vendosur që të mbahet.
Kjo pikë e rendit të ditës është përcaktuar më datën 3 tetor nga kryesia e Kuvendit, pas kërkesës së para disa javëve të lëvizjes Vetëvendosje.
Javën e kaluar debati për këtë temë ishte shtyrë me kërkesë të PDK-së, me arsyetimin se mungonin ministrat nga kabineti qeveritar.
Po ashtu, gjatë javës së ardhshme Kuvendi i Kosovës do të mbajë edhe një seancë tjetër, më 4 tetor, ku njëra nga pikat e rendit të ditës do të jetë interpelanca e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Është Lidhja Demokratike e Kosovës që ka thirrur në interpelancë ministrin Hoxhaj lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovës.
Gjatë këtyre seancave të Kuvendit të Kosovës do të jetë në shqyrtim të parë projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale dhe çështje të tjera.
Planet e qeverisë së Kosovës për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore PTK dhe KEK kanë shkaktuar një valë reagimesh në skenën politike dhe atë shoqërore kosovare.
Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi në fillim të muajit ndërmarrjen e një seri aksionesh kundër këtyre privatizimeve, duke ftuar qytetarët që të bashkoheshin me të.
Ndërsa sindikatat e pavarura, që përfaqësojnë punonjësit e dy ndërmarrjeve, kanë protestuar disa herë nga frika se nga privatizimet punonjësit humbasin vendet e punës.
Top Channel