Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e zgjidhur problemin që ka me Greqinë lidhur me çështjen e emrit.
Këtë porosi autoriteteve të Shkupit ia ka dërguar Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, përmes një interviste dhënë radios Evropa e Lirë. Fyle ka thënë se do të ishte naivitet të besohet se vendi mund të ecë përpara drejt bisedimeve për anëtarësim në BE, ndërsa çështja e emrit të lihet në fund të këtij procesi. Sipas tij, nuk mund të pritet që Maqedonia në dhjetor të marrë datën për negociata pa zgjidhur çështjen e emrit.
Shtefan Fyle më tej ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për anëtarësimin e shteteve të reja, por nuk do të lejohet që problemet e tyre të importohen brenda BE-së.
Ai ka bërë me dije se parimi i raporteve të mira ndërfqinjësore është një kërkesë kyçe për secilin vend që do të anëtarësohet në familjen evropiane.
Lidhur me krizën qeveritare në Shkup, Fyle tha se nëse në Maqedoni organizohen zgjedhje të parakohshme vendi rrezikon të humbë dinamikën e përmbushjes së reformave të nevojshme për anëtarësim në BE.
Top Channel