John Terry, ish-kapiteni i Anglisë, lajmëroi të dielën tërheqjen e tij nga ekipi kombëtar.
Sipas BBC, mbrojtësi 31-vjeçar e ka motivuar këtë vendim të tijin me hetimet që Federata Angleze e Futbollit (FA) ka ndërmarrë mbi një fyerje raciste që Terry ka bërë ndaj Anton Ferdinand sezonin e kaluar në kohën që kjo çështje është mbyllur nga gjykata civile për mungesë provash në korrikun e kaluar.
“Më vjen keq që Federata më akuzon për diçka që gjykata më ka nxjerrë të pafajshëm. Në këtë mënyrë unë e kam të pamundur të vazhdoj të luaj për Anglinë”, theksoi futbollisti që ka luajtur 78 ndeshje me “Tre Luanët”.
Ky lajm vjen një ditë pasi FA-ja nisi një proces kundër tij për përdorimin në fushë të fjalëve “abuzive dhe fyese” që përfshijnë “referenca mbi origjinën etnike, ngjyrën apo racën e Anton Ferdinand” gjatë ndeshjes QPR-Chelsea.
FA-ja vendosi që Terry-t t’i hiqej shiriti i kapitenit të Anglisë kur u zbulua skandali dhe ky vendim bëri që trajneri Fabio Capello të jepte dorëheqjen para EURO 2012. Italiani theksoi atëherë se nuk mund të dënohej një lojtar pa u shpallur fajtor dhe e pa këtë vendim të FA-së si një sfidë ndaj autoritetit të tij në kombëtaren angleze.
“Të luaja dhe të isha kapiten tek Anglia ka qenë ëndrra ime që fëmijë dhe jam i nderuar që kam përfaqësuar vendin tim. Ky vendim që kam marrë më bën të vuaj shumë”, thotë qendërmbrojtësi i Chelsea.
Top Channel