
“Shqipëria po përjeton një kthim mbrapa në raport me gratë dhe vajzat. Në pjesë të ndryshme të vendit po bëhet përditë e më e vështirë që ato të realizojnë ambiciet e tyre pa u penguar nga paragjykimet apo gjykimet e gabuara.”
Kështu është shprehur kreu i opozitës Edi Rama gjatë forumit të gruas socialiste në Lezhë.
“Që kjo situatë të ndryshojë”, tha Rama “socialistët do t’i japin një hapësirë të re grave dhe vajzave, ku përmes një sërë politikash të reja t’i mundësojmë atyre lehtësirat e nevojshme.”
“Përfshirja në betejën zgjedhore nuk do të thotë që ky Forum të mbështesë Partinë Socialiste që nesër të kemi disa deputetë nga Lezha apo një numër deputetësh nga Shqipëria për të bërë një shumicë dhe pastaj një qeveri që të vazhdojë avazin e vjetër, kurse ju të ktheheni në shtëpi dhe asgjë të mos ndryshojë në shtëpinë tuaj dhe në mjedisin ku ju jetoni. Përkundrazi, këtë Forum duhet ta shihni si instrumentin tuaj të grave dhe të vajzave për të marrë pjesë, sigurisht në betejën politike, por edhe për të qenë pjesë e kësaj beteje jo si numër, as si ushtarë të verbër, por si zemra dhe si mendje të angazhuara që në këtë betejë, sigurisht të fitojë Partia Socialiste, por nga fitorja e Partisë Socialiste të fitojnë dhe gratë e vajzat të drejta dhe lehtësi deri më sot të munguara”, theksoi Rama.
Kryetati i PS-së tha përpara grave lezhiane se me ardhjen e socialistëve në pushtet, përmes rimëkëmbjes se ekonomisë, do të realizohet edhe rimëkëmbja e shoqërisë.
“Ne jemi në këtë betejë për të ndryshuar faqen e historisë së këtij vendi, për të rimëkëmbur ekonominë, për të ripërtërirë shoqërinë, për të rivendosur demokracinë dhe për ta ribashkuar Shqipërinë me Europën. Ne nuk jemi në këtë betejë për të ndryshuar flamurin e Partisë Demokratike me flamurin e Partisë Socialiste në tarracën e pushtetit dhe për të lënë të vazhdojë kjo histori politike e ulët, bajate dhe dekurajuese. Jo! Ne jemi në këtë betejë për të luftuar së bashku që në Shqipëri të ketë drejtësi, në Shqipëri të ketë barazi sociale, në Shqipëri të ketë barazi gjinore, në Shqipëri të ketë konkurrencë dhe ai që është i zoti ta marrë atë që i takon pavarësisht sesi e ka emrin, pavarësisht se është nga veriu apo nga jugu, pavarësisht se është kushëriri i dikujt apo kushëriri i askujt. E në fund të fundit, ne jemi në këtë betejë që gjenerata e re të mos jetë një gjeneratë e humbur, por të jetë gjenerata e atyre që nesër do të jetë qytetarë të barabartë në Bashkimin Europian, duke qenë njëkohësisht shqiptarë në shtëpinë e tyre”, shtoi kreu i opozitës.
Top Channel