Vazhdon të tregojë formë shumë të mirë Juventusi në Kampionatin Italian, ku ka regjistruar fitoren e katërt në katër ndeshje.
Në këtë javë të Serisë A, kampionët në fuqi mundën Kievon me rezultatin 2-0 në fushën e tyre. Një ndeshje e kontrolluar nga bardhezintjë që nga fillimi deri në momentin e fundit.
Ndërkohë që heroi i ndeshjes është Fabio Quagliarella, autor i të dy golave.
Ka rezistuar mirë Chievo deri në minutën e 63-të, kur pësoi golin e parë. Ndërkohë, brenda 5 minutave është sërish ai që shënon edhe golin e dytë dhe me kaq mbyllet gjithçka.
Fitorja e rradhës e rendit Juventusin në krye me pikë të plota, pas katër javësh, ndërkohë që kryeson përkohësisht është e vetme, në pritje të ndeshjeve të së dielës ku Napoli dhe Lazio në rast fitoreje mund t’i bashkohen kreut.
Ndeshja tjeter e së shtunës mes Parmës dhe Fiorentinës është mbyllur në barazim 1-1.
Bayern në krye të Bundesligës
Bajerni i Mynihut ende duket se po përjeton efektin e Champions League dhe këtë gjë e tregon mjaft mirë përballë Schalkes, të cilën e mundi me rezultatin 2-0.
Në Gelsenkirshten, gjithçka mbyllet 0-0 në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën golat vijnë njëri pas tjetrit.
Në fillim është Kroos i cili zhbllokon pas një aksioni që mban emrin e Mulerit. Mjaftojnë pak minuta dhe vendasit ende të çorientuar nga goli i parë pësojnë golin e dytë dhe këtë herë është vetë Muler që finalizon.
Ky rezultoi edhe goli i fundit për këtë takim që i dha Bajernit tre pikë shumë të rëndësishme, aq sa për ta ngjitur në kuotën e 12 pikëve në krye të Bundesligës bashkë me Eintrahtin.
Në ndeshjet e tjera, Hamburgu mundi Borusian e Dortmundit 3-2, Mainzi fitoi 2-0 me Ausburgun, Volfsburgu barazoi 1-1 me Greuther Furth, nderkohe në barazim pa gola u mbyll edhe ndeshja tjetër Fortuna Dyseldorf-Fraiburg.
Top Channel