Rreth 1000 myslimanë protestuan në kryeqytetin grek Athinë, kundër filmit tallës për profetin Muhamed.
Duke mbajtur në duar pankarta ku kërkohej respektimi i fesë muslimane dhe dënimi i producentëve të filmit, protestuesit qendruan ne sheshin Omonia për disa orë.
Protestuesit akuzuan Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se fshihet mbas filmit ofendues për gjithë myslimanët në botë. Ndonëse organizatorët kishin kërkuar të protestonin përpara Ambasadës Amerikane në Athinë, policia nuk e lejoi dicka të tillë, c’ka irritoi turmën e cila tentoi të thyejë kordonin e policisë duke hedhur gurë dhe sende të forta.
Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës. Situata u qetësua disi për disa caste, për t’u tensionuar sërish në momentin e shpërndarjes së saj, kur një grup prej disa dhjetëra të rinjsh, hodhën gurë dhe thyenë disa makina dhe vitrina dyqanesh për t’i plackitur ato.
Policia ndërhyri, duke arrestuar disa dhjetëra persona. Ende nuk dihet nëse ndaj tyre do të ngrihen akuza për shkatërrim të pronës private dhe asaj publike.
Top Channel