Shoqatat shqiptare dhe greke të dhuruesve të gjakut, përmes një maratone që po organizohet në të dy vendet, shpresojnë që të sensibilizojnë qytetarët për të plotësuar mungesat serioze në bankat e gjakut.

Flaka e Dashurisë dhe Solidaritetit e nisur nga Athina kaloi kufirin shqiptar në Kakavijë duke u ndalur fillimisht në qytetin e Gjirokastrës ku dhjetëra të rinj kanë dhuruar gjak.
Shoqata Shqiptare e Dhuruesve të Gjakut ka pritur në maratonën e saj të përvitshme për të përballuar mungesën e rëndë të gjakut edhe 100 përfaqësues të shoqatës greke të dhuruesve të gjakut dhe organeve.

Aktiviteti për promovimin e dhurimit vullnetar, anonim dhe të pakompensuar të gjakut, mban këtë herë sloganin “Flaka e Dashurisë dhe e Solidaritetit” dhe konsiston në pasimin e flakës nga sportistë dhe personazhe te njohur në qytete të ndryshme për të nxitur dhurimin e gjakut si një akt i solidaritetit human.

Flaka e cila u nis nga Athina hyri në Shqipëri përmes Kakavijës dhe kaloi në duart e përfaqësuesve shqiptarë përmes një ceremonie simbolike.

Gjirokastra ishte stacioni i parë i Flakës së Solidaritetit. Vullnetarët e Dhuruesve të Gjakut të të dy vendeve qëndruan rreth 2 orë në qytetin e gurtë, ku u pritën nga autoritetet lokale dhe nxitën dhjetëra të rinj të Gjirokastrës për të dhuruar gjak.

“Kjo është një risi. Ka të bëjë përhapjen e kulturës së dhurimit të gjakut”, u shpreh Flamur Bime, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës.

Nga ana e tij, konsulli grek Nikolas Kotrokois, theksoi: “Këto aktivitete sjellin më pranë dy popujt tanë. Dëshira e Greqisë është të ketë marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë dhe një të ardhme të përbashkët europiane.”
 
Maratona e flakës pritet të udhëtojë drejt Kavajës e më pas drejt Tiranës ku do të pasojnë aktivitete të ngjashme. Shoqatat e dhuruesve të gjakut të të dy vendeve shpresojnë që ky aktivitetet të përmirësojë ndjeshëm gjendjen e rezervave në bankat e gjakut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB