Transportet: Spotet në tre televizione

22/09/2012 00:00

Ministria e Transporteve ka reaguar për spotet publicitare të Drejtorisë së Rrugëve, duke përbërë edhe të parin reagim zyrtar të qeverisë për dosjen e skandalit me reklamat shtetërore, siç opozita e ka cilësuar. Ministria e drejtuar nga Sokol Olldashi tha se deklarimet e deputetit Shalsi janë abuzive dhe të pavërteta.

Dikasteri i Transporteve deklaroi se paratë që Shalsi thotë se i janë dhënë studios publicitare “Promo” janë shpërndarë në tre televizione kombëtare.

Por, ndërsa sipas deputetit socialist bëhet fjalë për shumën prej 18 milionë e 900 mijë lekësh, sipas përllogaritjes së shifrave të dhëna nga Ministria e Transporteve në total bëhet fjalë për 13.8 milionë lekë (6.2 + 7.6).

Përveç mospërputhjes së shifrave mes PS, që i ka marrë ato pak muaj më parë nga vetë Ministria e Transporteve, dhe Ministrisë së Transporteve sot, nga deklarimi i kësaj të fundit dallohet edhe përllogaritja e përbashkët e fondeve që iu janë dhënë dy televizioneve Klan dhe TVSH, duke mos bërë ndarjen se sa ka përfituar secili prej tyre.

“Shuma që u përmend paturpësisht nga zoti Shalsi është shpërndarë mes tre televizioneve kombëtare. Në spotin e parë, vlera prej 6.2 milionë lekësh është ndarë 1.8 milionë lekë për Top Channel dhe 4.4 milionë për TVSH dhe TV Klan. Në spotin e dytë, vlera prej 7.6 milionë lekësh është ndarë Klan dhe TVSH 4.9 milionë lekë dhe Top Channel 2.7 milionë lekë”, ka sqaruar zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve.

Sipas ministrisë, dokumenti që deputeti socialist i është referuar në deklarimin e tij është ai që ministri Olldashi i ka dhënë si përgjigje interesimit të deputetit tjetër socialist, Erjon Braçe.

“Zoti Shalsi nuk ka kapur gafil askënd, sepse letra e tij është përgjigjja zyrtare që ministri Olldashi i dërgoi deputetit Erjon Braçe pas kërkesave për informacion”, ka shtuar zëdhënësja.

Nga të dhënat e Partisë Socialiste, të cilat janë marrë zyrtarisht nga Ministria e Transporteve, ky dikaster ka shpërndarë 1.6 milionë dollare reklamë shtetërore për pesë vitet e fundit.

Nga denoncimet e deputetit Shalsi, 800 mijë dollarë kanë shkuar për tre gazeta pro-qeveritare, ndërsa 190 mijë dollarë janë përfituar nga agjencia “Promo”.

Nga të dhënat e Ministrisë së Transporteve, siç edhe u tha më sipër, televizioni kombëtar Top Channel ka përfituar 4.5 milionë lekë, ose 45 mijë dollarë, shumë e cila është shuma e vetme e reklamës shtetërore që Top Channel ka marrë nga kjo ministri nga viti 2007 e deri tani.

Top Channel