Shkollimi, vazhdon të mbetet problem për shqiptarët e Maqedonisë. Në komunën Aerodrom të Shkupit ku shqiptarët janë pakicë, drejtoria e shkollës fillore ‘Goce Dellcev’ e mbështetur nga komuna, ka sjellë vendim për të mbyllur njërën nga tre paralelet për nxënësit shqiptarë, duke kërkuar që ata të mësojnë në dy paralele.

Në njërën prej tyre parashikohet të mësojnë së bashku klasa e parë, e dyta dhe klasa e tretë, kurse në paralelen tjetër klasa e 4 dhe e 5-të.

“Më 3 shtator na erdh vendimi konkret që të kombinohen klasa e parë e dytë dhe e tretë me 32 nxënës që dmth në aspektin metodologjik që është në kundërshtim me këto klasë të kombinuara. Këto tre klasë numërojnë 32 nxënës. Është e pamundur që të zhvillohet mësimi. Kjo është bërë në mënyrë tendencioze dhe nuk e di se si do të zgjidhet”, thotë Fatmir Zeqiri, arsimtar.

Të revoltuar nga ky vendim, prindërit kanë vendosur që fëmijët e tyre ta bojkotojnë mësimin. Ata cdo ditë po protestojnë para shkollës.

“Është dita e shtatë që po protestojmë. Prej të hënës do të marrim hapa të mëtutjeshëm. Ne do të jemi të detyruar të shkojmë edhe para ministrisë së Arsimit. Do të drejtohemi edhe të ambasadat e huaja. Ne kërkojmë që fëmijët të ndahen dhe të mësojnë secili në klasën e vet dhe mësuesin e vet”, tha Ismet Ramadani, prind.

“Kërkojmë që të mos diskriminohen shqiptarët në këtë rrethinë dhe të mos të dallohen fëmijët, pra ata të trajtohen si nxënës”, tha Nuredin Ramadani, prind.

Përvec nxënësve, vendimi i drejtuesve maqedonas të shkollës ka dëmtuar edhe arsimtarin Rufki Lloku, i cili pas shumë vitesh në këtë shkollë, tani ka mbetur pa punë. Ai tha se mbyllja e kësaj paralele nuk e vetmja padrejtësi që i bëhet nxënësve shqiptarë të kësaj ane.

“Tjetër padrejtësi i bëhet se këtu nuk ekziston klasa 9 vjecare edhe 70 nxënës tanë udhëtojnë për në Shkup me autobusë dhe nuk na hapin më tepër paralele. Këto gjëra i bën vetëm shteti maqedon në kurriz të shqiptarëve sepse nuk kemi njerëz që mund të na mbrojnë”, theksoi  Rufki Lloku, arsimtar.

Si kundërpërgjigje për këtë vendim të shkollës ‘Goce Dellcev’ edhe në komunat ku shqiptarët janë shumicë kanë filluar të mbyllen paralelet në gjuhën maqedonase që kanë numër të vogël të nxënësve.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA