Kosova, futbollistët shqiptarë letër FIFA-s

22/09/2012 18:00

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana bashkë me lojtarë të tjerë të njohur si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami i kanë dërguar një letër organit më të lartë të futbollit, FIFA, për pranimin e Kosovës në evenimentet sportive ndërkombëtare.

Letra, një kopje e të cilës i është dërguar agjencisë së lajmeve “Reuters”, i është bashkuar kërkesës që Federata e Futbollit të Kosovës i ka bërë FIFA-s për të luajtur në takime miqësore ndërkombëtare.

“Ne mbështesim plotësisht dhe pa kushte të drejtën e futbollistëve dhe klubeve nga Kosova që të luajnë në evenimentet ndërkombëtare të futbollit”, thonë yjet e futbollit shqiptar në letër, e cila i është adresuar vetë presidentit Sepp Blater.

“Kosova, një shtet i njohur nga 91 shtete në 6 kontinente dhe e pranauar nga organizata si FMN dhe Banka Botërore, nuk mund të krahasohet me territore të tjera në Evropë apo gjetkë, që pretendojnë pjesëmarrje të njëjtë në futbollin ndërkombëtar”, thuhet më tej në letër.

Cana, Behrami, Shaqiri dhe Xhaka, të gjithë me origjinë kosovare, janë lojtarët më të njohur shqiptarë, të cilët luajnë në klube të rëndësishme evropiane si Lacio, Bajern i Mynihut dhe Borusia M.

Letrës së tyre i janë bashkuar edhe pesë lojtarë shqiptarë të tjerë, si dhe futbollistja kosovare Fatmire Bajramaj, që aktualisht luan me kombëtaren gjermane të femrave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA