Konflikti, rebelët e UÇS hyjnë në Siri

22/09/2012 16:45

Rebelët e Ushtrisë Çlirimtare Siriane kanë njoftuar se e kanë futur komandën e tyre qendrore nga Turqia në zonat e çliruara brenda Sirisë.

Një video e postuar në YouTube tregon liderin e UÇS-së, Riad al Assad që konfirmon lëvizjen në fjalë. Megjithatë, folësi nuk thotë se kur është bërë lëvizja, ose se ku ndodhen bazat kryesore të njësisë luftarake rebele.

UÇS-ja është njësia kryesore e armatosur e grupeve që po luftojnë për të përmbysur regjimin e presidentit Bashar al Assad.

Në video, ku ai shfaqet duke njoftuar lëvizjen, komandanti Assad thotë se UÇS-ja do të luftojë “krah për krah” me të gjitha brigadat dhe fraksionet derisa të arrijnë fitoren.

“Kryeqyteti ynë, Damasku, do të çlirohet së shpejti, me vullnetin e Zotit”, theksoi gjenerali Assad, i cili hodhi poshtë zërat se UÇS po përpiqet të zëvendësojë regjimin aktual.

Pavarësisht se ai nuk dha detaje, gjenerali i brigadës Mustafa al Sheikh ka bërë të ditur për agjencinë “Associated Press” se lëvizja në fjalë është bërë javën e kaluar dhe synon të bashkojë të gjitha grupet rebele.

Ushtria Çlirimtare Siriane është kritikuar më herët se ka dhënë udhëzime nga Turqia, duke mos qenë në Siri dhe se ka patur një rol të vogël mbi rrjetet e rebelëve me bazë në vendin e përfshirë nga konflikti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA