Francë, kërcënime satirikes “Charlie Hebdo”

22/09/2012 15:40

Një person, i dyshuar se ka kërcënuar me vdekje në një faqe interneti islamike drejtorin e së përjavshmes “Charlie Hebdo”, është ndaluar mëngjësin e së shtunës nga policia në perëndim të Francës.

Personi, rreth të dyzetave, akuzohet se ka shkruar në një forum online një mesazh që bënte thirrje për vrasjen e Stephane Charbonnier, autori i karikaturave të profetit Muhamed.

“Dikush të më sjellë kokën e tij. Ose dikush ta përndjekë dhe ta mbikëqyrë. E rëndësishme është të mos e lëmë të jetojë rehat”, thuhet në mesazhin e publikuar në internet.

E përjavshmja satirike franceze publikoi tre ditë më parë një seri karikaturash që tallnin profetin Muhamed.

Karikatura në pjesën e pasme të revistës shfaqte profetin të zhveshur, ndërsa brenda revistës kishte edhe imazhe të tjera.

Publikimi i karikaturave erdhi ndërsa zemërimi në botën islamike ishte rritur si pasojë e filmit amator të bërë në SHBA, i cili tall gjithashtu profetin Muhamed.

Ndaj zyrës në Paris të revistës “Charlie Hebdo” qe hedhur bombë në nëntor të 2011, pasi edhe atëherë revista pati publikuar një karikaturë tjetër të profetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA