Biznesi ankohet: Po falimentojmë

22/09/2012 00:00

“Sa vjen e më keq bëhet”. “Sa paguajme taksën e bashkisë dhe të tjerat ikin”. Këto janë vetëm disa nga ankesat e tregtarëve në njësinë bashkiake numër katër në kryeqytet, të cilët të pyetur në takim me deputetin socialist Fatmir Xhafaj dhe sekretarin për programin në selinë rozë, Ilir Beqja, kanë vetëm një përgjigje, përkeqësim i skajshëm i bizneseve të tyre.

Rënia e fuqisë blerëse, listat e borxheve të klientëve të tyre dhe vështirësia për përballimin e taksave është refreni që përsërisin tregtarët.

Përfaqësuesit e PS, pasi ndanë me ta shqetësimin e krizës së rëndë ekonomike, thanë se kjo situatë është vetëm çështje muajsh, pasi pas ardhjes së tyre në pushtet akti i parë në shtatorin e vitit të ardhshëm do të jetë heqja e taksës për biznesin e vogël.

“Shtatorin e ardhshëm ne kemi marrë angazhimin që të paktën taksën e biznesit të vogël do ta heqim. Janë të paktën 70 mijë familje që merren me këtë punë në Shqipëri. Gjëja e parë që duhet të bëjmë për rigjallërimin e ekonomisë është rritja e konsumit familjar dhe kërkesës rrjedhimisht”, deklaroi deputeti Beqja.

Gjatë rrugëtimit në njësinë katër, një punonjës i kësaj njësie bashkiake ka bashkëshoqëruar si fotograf takimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste me tregtarët.

“Ai fotograf dhe ato lista janë simboli i kësaj qeverie, i varfërisë dhe dhunës që ajo ushtron përditë mbi tregtarët, që përballen me dhimbjen dhe presionin e shtetit mbi ta”, e komentoi deputeti Fatmir Xhafaj këtë veprim.

Xhafaj tha se qeveria Berisha duhet të largohet një orë më parë nga pushteti me votën e shqiptarëve, pasi situata e rënduar ekonomike dhe presioni e dhuna ndaj qytetarëve kanë arritur në nivele të skajshme.

Top Channel