Kryeministri grek, Andonis Samaras ka deklaruar nga Roma, ku po merr pjesë në takimin e krerëve të partive të djathta të Evropës, se Greqia në asnjë rrethanë do të dalë nga euro.
“Për ne do të ishte një makth dhe një katastrofë dalja nga euro. Greqia do t’ia dalë mbanë, ju siguroj për këtë”, ka deklaruar Samaras.
Sipas tij, Greqia do të bëjë një rikthim spektakolar që do t’i japë stimuj Evropës dhe do të jetë shembull për demokracinë dhe lirinë.
Më herët gjatë ditës, Samaras është takuar me homologun italian Mario Monti, i cili sipas agjencive italiane të lajmeve, ka vlerësuar masat anti-krizë të Athinës zyrtare.
“Presidenti Monti ka lavdëruar punën që kryeministri Samaras po bën dhe ka inkurajuar qeverinë greke që të vazhdojë në këtë drejtim”, thuhet në një komunikatë të qeverisë së Romës.
Sipas saj, Monti ka vlerësuar se, është i rëndësishëm konsolidimi i financave publike dhe zbatimi i reformave të duhura, që janë një kusht thelbësor për rikthimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ndër të tjera, Monti dhe Samaras kanë rënë dakord mes tyre për nevojën e ruajtjes së integritetit të eurozonës, stabilizimit të tregjeve dhe vazhdimin e proçesit të integrimeve evropiane sipas linjave të vendosura nga presidenti i BE, Herman Van Rompuy.
Top Channel