Paqe Allegri-Inzaghi

21/09/2012 00:00

Një ditë pas zënkës, dy trajnerët e Milanit, Allegri i skuadrës së parë dhe Inzaghi i skuadrave zinxhir, u thërritën për të vendosur paqe në zyrat qendrore të kuqezinjve në rrugën Turati.

Të dy protagonistët e sherrit të një dite më parë dolën “të lumtur” nga zyrat dhe për mikrofonët e Milan Channel pohuan se nuk kishte ndodhur asgjë, vecse një shkëmbim opinionesh pa fyerje.

“Nuk ndodhi asgjë mes meje dhe Pippo-s. Nuk ka asnjë problem mes nesh. Kishte një shkëmbim idesh prej disa minuta, por pa ofendime”, tha Allegri, deklarata e të cilit u konfirmua më pas edhe nga vetë ish-sulmuesi i Milanit.

Inzaghi tha se si ai, ashtu edhe Allegri i duan të mirën Milanit dhe se debati mes tyre ishte mëse normal.

Zënka mes tyre nisi kur trajneri i Milanit kishte shkuar për të parë stërvitjen e të rinjve kuqezinj dhe është takuar me ish-sulmuesin e tij, i cili tashmë është teknik i tyre dhe gjithashtu favorit kryesor për të marrë drejtimin e ekipit të parë. Pasi i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit kanë nisur një debat të ashpër.

Sa i përket së ardhmes, Allegri deklaroi se do të dëshironte të qendronte sa më gjatë dhe me fitore tek Milani. Për formacionin, me shumë pikëpyetje pas dy paraqitjeve zhgënjyese ndaj Atalantës dhe Anderlehtit, tekniku i Milanit shtoi se skuadra duhet të reagojë që nga ndeshja e radhës kundër Udinezes në transfertë dhe një rikthim i rëndësishëm për milanezët është Montolivo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB