Të paktën 15 persona janë vrarë në protestat e dhunshme që kanë shpërthyer në qytetet kryesore të Pakistanit, kundër filmit anti-Islam të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.
Dhjetë persona kanë mbetur të vrarë në qytetin-port të Karaçit, ndërsa pesë të tjerë në qytetin veri-perëndimor të Peshauarit, kanë bërë të ditur burime spitalore lokale.
Gjithashtu, protestuesit kanë kaluar enklavën diplomatike në kryeqytetin Islamabad, në afërsi të ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i BBC deklaron se ka të ngjarë që bilanci të rëndohet pasi shumë persona të tjerë janë plagosur rëndë.
Protestat kundër filmit amator “Pafajësia e Myslimanëve” sa vijnë e po zgjerohen në vendet arabe. Një ditë më parë, policia pakistaneze u përplas dhunshëm me demonstruesit e irrituar për filmin përpara ambasadës amerikane në Islamabad.
Përballë turmës prej mijëra besimtarësh, forcat e rendit u detyruan të përdornin gaz lotsjellës dhe plumba gome. Ambasada ishte vënë në alarm pas raportimeve për mundësinë e ngjarjeve të dhunshme, të ngjashme me ato që i kushtuan jetën ambasadorit amerikan në Libi, Christofer Stevens.
Sipas të dërguarit të “BBC”-së në Pakistan, disa prej demonstruesve u shprehën se nuk do të largoheshin nga ambasada pa i vënë më parë flakën asaj. Aktualisht, masat e sigurisë përreth selisë diplomatike janë të nivelit më të lartë të mundshëm.
Top Channel