
Publikohen të dhënat e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, pavarësisht se nuk janë numëruar banorët e tri komunave në veri të vendit. 1.739.825 është numri i banorëve, përfshirë këtu shqiptarët, boshnjakët, serbët, turqit dhe të tjerët.
Rezultatet e pranuara ndërkombëtarisht nxjerrin në dritë se në Kosovë, pa numëruar veriun, jetojnë 25 mijë pjestarë të komuntetit serb, ndërsa sipas këtij numërimi, komuniteti i dytë për nga numri i banorëve janë boshnjakët me 27.533 mijë. Pas tyre vijnë pikërisht serbët, turqit me 18 mijë dhe komunitetet e tjera.
Shqiptarë: 1.616.869
Boshnjakë: 27.533
Serbë: 25.532
Turq: 18.738
Ashkalinj: 15.436
Egjiptianë: 11.524
Goranë: 10.265.
Ky është regjistrimi i parë i bërë pas 30 vjetësh por trendi i numrit të banorëve ka rënë dukshëm. Në vitin 1981 Kosova kishte 1 milionë e 584 mijë banorë dhe lindjet e përvitshme kanë ndikuar fare pak në ngritjen e këtij numri. Zyrtarët thonë se kjo është pasojë e migrimit dhe uljes së shkallës së lindshmërisë në dekadën e fundit.
“Se nga kanë shkuar këta persona për 30 vite ju e dini shumë mirë, duke parë ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë. Është e qartë se kemi një diasporë të madhe. Kemi një lëvizje shumë të madhe të popullsisë jashtë Kosovës dhe këtë e ka argumentuar regjistrimi i popullsisë”, ka deklaruar Isa Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Regjistrimi është kryer në 34 komuna të Kosovës. Rezultatet tregojnë se Prishtina ka numrin më të madh të banorëve me 198 mijë e 897, e pasuar me pak diferencë nga Prizreni ku jetojnë 177 mijë e 781.
Të dhënat konfirmojnë se në Kosovë ekziston një diferencë e madhe mes numrit të besimtarëve myslimaneve dhe katolikë, ndërsa një e dhënë interesante është se 1.242 persona janë deklaruar pa besim fetar.
Myslimanë: 1.663.412
Ortodoksë: 25.837
Katolikë: 38.438
Pa përkatësi fetare: 1.242
Zyrtarët thonë se tani për tani nuk ka plan për regjistrimin e popullsisë në veri, por brenda pak javësh mund të dilet me të dhëna të përafërta. Lidhur me paralajmërimet e Serbisë për të kryer këtë proçes në veri, Bashkimi Europian paralajmëron se do të luajë të njëjtin rol sikurse me zgjedhjet serbe, duke mos e njohur rezultatin.
“Kur Serbia u përpoq të mbante zgjedhje në Kosovë, Bashkimi Evropian u shpreh qartë se në Kosovë nuk mund të organizoheshin këto zgjedhje dhe kjo është e njëjta çështje, unë pres të njëjtin pozicion për paralajmërimet e Beogradit për regjistrim në veri”, ka deklaruar Samuel Zhbogar, përfaqësues i zyrës së BE-së në Kosovë.
Sipas të dhënave, në Kosovë ekzistojnë familje që kanë 20 fëmijë, ndërsa ekonomia familjare më e madhe përbëhet nga 50 persona. Është regjistruar edhe personi më i vjetër në Kosovë. Bëhet fjalë për një femër 111-vjeçare, e cila jeton në fshat.
Fatkeqësisht në këto të dhëna konfirmohet përqindja e papunësisë, e cila arrin shkallën 44.8 për qind. Numri i njerëzve të punësuar është 278.572, ndërsa femrat janë në pozitë tepër të keqe sepse nga popullsia e përgjithshme që banon në Kosovë vetëm 16% e tyre jetojnë vetëm në bazë të punës.
Ndërsa përqinjda e analfabetizmit është 3.16 për qind. Të dhëna të tjera janë edhe se 44.25 për qind e kosovarëve flasin të paktën një gjuhë të huaj. Ndërsa në gjithë këto statistika është evidentuar se numri i meshkujve është më i lartë se ai i femrave, 875.900 kundrejt 863.925.
Top Channel