Arsenal bie në shtëpi ndaj Bournemouth, Man.City mund të përfitojë
Dy futbollistë të kombëtares shqiptares sonë, Odise Roshi dhe Edmond Kapllani, përjetuan një mbrëmje të veçantë, ndërsa nëpërmjet dy golave të tyre i dhanë suksesin FSV Frankfurtit përballë St. Paulit, në Bundesligën e Dytë Gjermane.
Pas një sezoni të vështirë tek Këlni, Roshi tregoi se kalimi në skuadrën e dytë të Frankfurtit ishte zgjedhja e duhur për të, me vlonjatin që ka fituar vendin e titulluarit dhe po fiton shumë më tepër minuta në kategorinë inferiore.
Mesfushori i grumbulluar rregullisht nga De Biasi realizoi në minutën e shtatë, duke i dhënë avantazhin të tijëve përballë 20 mijë tifozësh vendas.
Pas barazimit në fillimin e pjesës së dytë, një veteram i kombëtares si Edmond Kapllani realizoi mjeshtërisht edhe golin e fitores për bluzinjtë.
Të dy shqiptarët u zëvendësuan mes duartrokitjeve në fundin e pjesës së dytë.
Me këtë fitore, të ardhur në javën e gjashtë të Bundesligës 2, FSV-ja vazhdon të befasojë kritikët, duke u renditur në vendin e dytë dhe duke qenë në garë për të siguruar ngjitjen në Bundesligë, pavarësisht se nuk përfshihet në listën e favoritëve.
Ironikisht, Këlni, skuadra që nuk besoi në cilësitë e Roshit, ka bërë një fillim katastrofik të këtij kampionati, duke u renditur e parafundit me vetëm dy pikë në gjashtë ndeshje.
Top Channel