Kompania më e madhe ajrore në Japoni dhe një prej më të mëdhave në botë, “Japan Airlines”, lajmëroi të premten për ndërprerjen e pothuajse të gjithë fluturimeve drejt Kinës, si pasojë e konfliktit për ishujt e diskutuar në Detin e Kinës Lindore.
Si rrjedhojë, aksionet e kompanisë pësuan një rënie rekord prej 4% në bursën e Tokios gjate se premtes.
Nëpërmjet një emaili, kompania lajmëroi të premten se që nga 1 tetori do të reduktojë drastikisht lidhjet me dy qytetet kryesore kineze, Pekin dhe Shangai.
Sze Hunn Yap, një zëdhënës i “JAL”, nuk pranoi që të lidhte bojkotin me përballjen diplomatike për sovranitetin e ishujve Senkaku, por me “ndryshimin e pazakontë të kërkesës në tregun aziatik”.
Aktualisht, një seri protestash dhe kundërprotestash po zhvillohen në dy superfuqitë aziatike, të cilat së bashku me Tajvanin, pretendojnë sovranitetin e pesë ishujve dhe tre shkëmbinjve të pabanuar, të barazlarguar në distancë midis Japonisë dhe Kinës.
Më parë gjatë muajit, Tokio bleu tre ishuj nga pronari i tyre i ligjshëm, por Pekini nuk e njeh këtë akt.
Ndonëse të pabanuar, ishujt kanë një rëndësi të madhe strategjike, pasi ndodhen në një zonë të pasur me resurse detare, ku dyshohet se ndodhen edhe shumë rezerva nafte e gazi të paeksploruara në thellësi.
Top Channel