Mbi 60 miliardë euro do të nevojiten për të shpëtuar bankat spanjolle, informoi institucioni financiar spanjoll “BBVA”.
Rezultatet e një komisioni të pavarur për qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe defiçitin e tyre do të publikohet në datën 28 shtator, por disa të dhëna paraprake u publikuan të premten nga e përditshmja “El Pais”, e cila iu referua parashikimeve të ekspertëve bankarë.
Madridi kërkoi më parë gjatë vitit një hua madhore prej 100 miliardë eurosh prej Bashkimit Europian, në mënyrë që të financojë bankat dhe krahinat autonome, të cilat rrezikojnë falimentimin pas goditjeve që kanë marrë nga kriza financiare.
Ndonëse kryeministri konservator Mariano Rajoy këmbënguli se Spanja nuk do të ketë nevojë për hua shtesë, tashmë duket e pashmangshme që vendi t’i drejtohet Brukselit me një kërkesë të re për kreditim brenda muajve të ardhshëm.
Sistemi bankar spanjoll ka nevojë urgjente për t’u rikapitalizuar dhe sipas presidentit të “BBVA”-së, një operacion i tillë do të ketë nevojë për 75-80 miliardë euro.
Me 20 miliardë euro të akorduara nga Madridi për bankat në vështirësi, rikapitilizimi do të kërkojë edhe rreth 60 miliardë euro të tjera, të cilat nuk gjenden në arkat e varfëruara të qeverisë spanjolle.
Aktualisht, vendi me papunësinë më të lartë brenda Eurozonës, Spanja është një prej vendeve që po vuan më shumë pasojat e krizës financiare të monedhës së përbashkët euro.
Top Channel