Didier Deschamps, trajneri i përfaqësueses franceze të futbollit, theksoi se Spanja është favorite për vendin e parë të grupit në eliminatoret e botërorit të vitit 2014, grup ku bën pjesë edhe skuadra e tij.
“Spanja është favorite sepse është ekipi që po dominon aktualisht futbollin botëror. Distanca me ta është e madhe”, deklaroi për ‘Le Monde’ tekniku i “Gjelave”.
Gjithsesi, Deschamps nuk hoqi dorë nga vendi i parë në grup, gjë që do shmangte ndeshjet e play-off-it: “Objektivi ynë nuk është vendi i dytë. U kam thënë futbollistëve që vendi i parë varet vetëm nga ne.”
“Vendi i parë i grupit do të zgjidhet në ndeshjet direkte që do të luajmë me Spanjën, por për këtë duhet të fitojmë takimet me Bjellorusinë, Finlandën dhe Gjeorgjinë”, shtoi ish-futbollisti i Juventusit.
Franca kryeson grupin I me 6 pikë në dy ndeshje, ndërsa Spanja renditet e dyta me 3 pikë, por ka luajtur vetëm një ndeshje.
Top Channel