Putin nënshkruan ligin e ri, forcon kontrollin e inteligjencës së brendshme mbi internetin rus
Autoritetet kolumbiane të sigurisë deklarojnë se trafikanti më i kërkuar i drogës që u arrestua në ditët e fundit u lokalizua teksa bënte një telefonatë në një kabinë telefonike publike në Venezuelë.
Daniel Barrera, që akuzohet se është një ndër baronët më të fuqishëm të drogës, u arrestua ditën e martë.
Policia shpjegoi gjithashtu arsyet e arratisë së gjatë të Barreras, me argumentin se ai kishte bërë operacione plastike dhe kishte djegur me acid gjurmët e gishtave për të mos u identifikuar.
Ministri i Brendshëm venezuelian, Tarek el Aissami deklaroi se policia po mbante në monitorim 69 kabina telefonike publike, që supertrafikanti po i përdorte për të komunikuar.
Sipas autoriteteve, Barrera përdorte telefonat publikë vetëm për të kontaktuar me familjarët dhe bashkëpunëtorët, në mënyrë që t’i shpëtonte gjurmimit të policisë.
Ndërsa drejtori i policisë kolumbiane, Jose Leon Riano e cilësoi operacionin, që u realizua në bashkëpunim me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, si “triumfin më të madh të bashkëpunimit ndërkombëtar”.
Ai tha se operacioni ishte koordinuar nga Uashingtoni për të shmangur ndonjë rrjedhje të mundshme informacionesh dhe baroni i kokainës nuk kishte më se ku të fshihej.
Top Channel