Siri, dhjetra të vrarë në veri të vendit

20/09/2012 00:00

Episodet e radhës të dhunës në Siri u regjistruan në veri të vendit, rreth 30 kilometra larg kufirit me Turqinë ku të paktën 30 persona gjetën vdekjen.

Aktivistët opozitarë thonë se viktimat u regjistruan në një pikë karburanti në rrugën që lidh thellësinë e vendit me Tal al-Abyad, pikën kufitare me Turqinë të marrë nën kontroll nga rebelët një ditë më parë.

Avionët luftarakë të regjimit hodhën bomba mbi pikën e karburantit ku ishin grumbulluar qindra persona në radhë për t’u furnizuar me naftë, benzinë e gas për përdorim në një periudhë kur sigurimi i energjisë në zonë është thuajse i pamundur për shkak të dëmtimit të rrjetit.

Mbi 30 janë personat që kanë gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa dhjetra të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Pamjet e një kamere amatore që qarkullojnë në internet flasin për një masakër të vërtetë.

Ndërkohë, në Damask një helikopter i regjimit u rrëzua në periferi të kryeqytetit. Media shtetërore konfirmoi lajmin, duke shtuar se helikopteri u rrëzua pas shmangies së një përplasje të mundshme me një avion pasagjerësh me 200 pasagjerë në bord. Ekuipazhi ushtarak i helikopterit gjeti vdekjen, ndërsa avioni me pasagjerët u ul pa problem në aeroportin e Damaskut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB