Të rinjtë e njohin modelin Deny Dunisha, si pjesëmarrës në disa
videoklipe këngëtarësh shqiptarë, por deri dje askush nuk e njihte si
gjobëvënës. Pikërisht për këtë vepër penale, ky person është arrestuar
nga policia e kryeqytetit dhe dyshohet se paratë ia ka kërkuar të
dashurës së tij, duke e kërcënuar se nëse nuk i jepte, atëherë ai do u
tregonte prindërve të saj për lidhjen me të.
Vajza e kërcënuar nuk ka përtuar ta denoncojë në polici të dashurin, që fillimisht ishte simpatizante e tij, e më pas kishte krijuar një lidhje intime, që ka nisur nga komunikimet në rrjetin social “Facebook”. Sipas policisë, historia mes vajzës nga Elbasani, të identifikuar si Erla F., 21 vjeçe dhe Denis (Deny) Dunishës, 20 vjeç, lindur e banues në Tropojë, ka nisur pak muaj më parë në “Facebook”. Vajza ishte një fanse e çmendur e djalit, i cili ka nisur karrierën si model, madje ka qenë pjesëmarrës në disa videoklipe të realizuara nga këngëtarë shqiptarë. Fillimisht, ajo ka filluar t’i bëjë komente admirimi të riut, e më pas mësohet se ata kanë komunikuar me mesazhe në këtë faqe sociale, që shpeshherë është bërë pikënisje për shumë konflikte të tjera mes të rinjve shqiptarë. Nëpërmjet mesazheve private, ata mendohet se kanë lënë takime intime, duke krijuar një lidhje, që ka zgjatur vetëm pak kohë. Por, teksa vajza kërkonte të takohej me modelin, ky i fundit dyshohet se ka filluar të kërkojë para prej saj.
Madje, kohët e fundit, ai i ka kërkuar 100 mijë lekë të reja, duke e kërcënuar. Paratë mësohet se i ka kërkuar me mesazhe telefonike, duke kërcënuar studenten nga Elbasani, e cila studionte për anglisht, se nëse nuk jepte paratë, atëherë do u tregonte prindërve të saj për lidhjen mes tyre. Sipas të dhënave nga policia, vajza i kishte treguar për frikën që kishte nga prindërit për ndonjë lidhje intime, kështu që ai ka shfrytëzuar dobësinë e saj. Në këto kushte, katër ditë më parë, vajza mendohet se ka kërkuar ndihmën e policisë për kërcënimet që i ka bërë i dashuri, me qëllim dhënien e parave. Menjëherë, seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë në policinë e Tiranës kanë nisur hetimet për këtë rast dhe dy ditë më parë i kanë vënë prangat të riut nga Tropoja. Para oficerit të policisë, ai nuk e ka pranuar veprën penale, për të cilën dyshohet, duke deklaruar se ajo e kishte shpikur historinë me të. Megjithatë, hetimet e mëtejshme do të jenë ato që do të nxjerrin të vërtetën mbi këtë ngjarje të rëndë.
Top Channel