Pakistan, sulm ndaj ambasadës amerikane

20/09/2012 15:25

Policia pakistaneze u përplas me demonstruesit e irrituar për filmin fyes ndaj islamit, përpara ambasadës amerikane në kryeqytetin pakistanez, Islamabad.

Përballë turmës së irrituar prej mijëra besimtarësh, forcat e rendit u detyruan të përdornin të enjten gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Ambasada ishte vënë në alarm pas raportimeve për mundësinë e ngjarjeve të dhunshme, të ngjashme me ato që i kushtuan jetën ambasadorit amerikan në Libi, Christofer Stevens, i vrarë nga militantë që hynë brenda konsullatës në Bengazi.

Filmi, i prodhuar në SHBA nga një regjizor i krishterë egjiptian, konsiderohet si një fyerje ndaj Profetit Muhamed, i cili portretizohet si një njeri gjakatar dhe i dhënë pas veseve e teprimeve të jetës.

Sipas të dërguarit të “BBC”-së në Pakistan, disa prej demonstruesve u shprehën se nuk do të largohen nga ambasada pa i vënë më parë flakën.

Aktualisht, masat e sigurisë përreth selisë diplomatike janë të nivelit më të lartë të mundshëm.

Disa dhjetëra persona kanë mbetur të vdekur deri tani në protestat e dhunshme që kanë përfshirë prej një jave Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA