
Misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit konfirmon aktakuzën kundër ish-kreut të Taskforcës Anti-Korrupsion Nazmi Mustafi. Sipas njoftimit të Eulex-it ky vendim është marrë nga një gjykatës ndërkombetar, i cili ka konfirmuar aktakuzën kundër ish-prokurorit special të Prokurorisë Speciale dhe njëherësh ish-kreut të Taskforcës Anti-Korrupsion.
Bazuar në aktakuzë Nazmi Mustafi akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje. Po kështu aktakuza është konfirmuar edhe ndaj tre të akuzuarve të tjerë, Reshad Zherka, Xhelal Zherka dhe Mirela Ndoci.
Këta të fundit akuzohen për veprat penale të ushtrimit të ndikimit, nxitje të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje apo asgjësim i shkresave zyrtare dhe mashtrim të blerësve. Mirela Ndoci akuzohet se ka ndihmuar në abuzimin e postit apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit të Eulex-it gjykatësi ndërkombetar i procedurës së konfirmimit i shpalli të gjitha provat e paraqitura në këtë ceshtje si të pranueshme dhe e konfirmoi aktakuzën në tërësi për të gjitha veprat penale kundër të gjithë të pandehurve. Rasti ndiqet penalisht nga një prokuror i Eulex-it i qarkut të Pejës.
Top Channel