Japonia do të kërkojë dëmshpërblim nga Kina për dëmtimet mbi misionet diplomatike, gjatë protestestave për një grup ishujsh të diskutuar në Detin e Kinës Lindore.
Lajmi u bë i njohur të enjten, gjatë një konference për shtyp të sekretarit të kabinetit, Osamu Fujimura.
Ai deklaroi nga Tokio se “dëmshpërblimi është një çështje e brendshme midis të dy qeverive”.
Qëndrimi i Japonisë vjen pasi Pekini shprehu “keqardhje të thellë” ndaj sulmimit të makinës së ambasadorit japonez dhe atij amerikan në Kinë.
Tensionet kanë qenë të larta pasi Japonia bleu nga pronari i ligjshëm trej prej ishujve të diskutuar, të quajtur Senkaku në japonisht dhe Diaoyu në Kinë.
Japonia, Kina dhe Tajvani pretendojnë sovranitetin e grupit të ishujve të pabanuar, por të pasur me resurse detare dhe rezerva nafte e gazi në thellësi. Aktualisht, ata kontrollohen prej Tokios.
Gjatë javës së shkuar, në protestat anti-japoneze në Kinë, disa biznese u detyruan të mbylleshin.
Të martën, në përvjetorin e fillimit të pushtimit japonez të Mançurisë të vitit 1931, një grup dyqanesh japoneze u sulmuan dhe vandalizuan në disa qytete të ndryshme kineze.
Top Channel