Një aktore amerikane që është shfaqur në videon amatore anti-Islam që ka shkaktuar protesta në mbarë botën myslimane, ka paditur regjisorin e filmit.
Cindy Lee Garcia akuzoi Nakoula Basseley se e ka mashtruar duke e përfshirë në një film që ajo mendonte se ishte një aventurë në shkretëtirë.
Ajo gjithashtu po i kërkon gjykatës që të urdhërojë faqen e internetit YouTube që të heqë filmin. Klipi që është xhiruar në arabisht shkaktoi irritimin e botës myslimane për vënien në lojë të profetit Muhamed.
Filmi ‘Pafajësia e Myslimanëve’, që është prodhuar në Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar protesta në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, duke arritur deri në Sri Lanka, në disa raste duke u kthyer në evenimente të dhunshme.
Katër shtetas amerikanë, përfshirë ambasadorin Chris Stephens, mbetën të vrarë në një sulm ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë më herët gjatë muajit.
Sipas zonjës Garcia, skenari që kishte marrë ajo nuk e përmendte profetin Muhamed dhe as nuk i referohej fesë myslimane.
Aktorja deklaron se ka marrë kërcënime me jetë që kur videoja është postuar në You Tube dhe shton se bashkëpunimi i saj me regjisorin e filmit i ka dëmtuar reputacionin.
Në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën e Lartë të Los Anxheles, zonja Garcia pretendoi për mashtrim, përgojim dhe shkaktim të shqetësimit emocional.
Top Channel