E veja e spiunit rus kërkon të vërtetën

20/09/2012 00:00

E veja e ish-spiunit rus Alexander Litvinenko ka deklaruar se shpreson që një hetim të zbardhë të vërtetën për atë që i ndodhi bashkëshortit të saj.

Zoti Litvinenko, 43 vjeç, dyshohet se është helmuar me polonium 210 pasi kishte pirë çaj me dy miqtë e tij rusë në një hotel në qendër të Londrës në vitin 2006.

Një hetim gjithëpërfshirës do të zhvillohet vitin e ardhshëm, ndërsa aktualisht po bëhet një shqyrtim për të përcaktuar parametrat e proçesit. I dyshuari kryesor, Andrei Lugovoi pas ngjarjes është zgjedhur deputet në Parlamentin rus.

Ndërkohë, Marina Litvinenko deklaroi për BBC se: “Do të doja të dija se kush e vrau dhe pse. E kërkova një gjë të tillë para 6 vjetësh dhe shpresoj që tani, më në fund, ta marr vesh”.

Vdekja e zotit Litvinenko, një ish-oficer rus i sigurisë që kishte fituar azil në Britani, shkaktoi një incident diplomatik mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë, pasi Kremlini u akuzua se ishte ‘truri’ i vrasjes.

Prokurorët britanikë cilësuan Lugovoi si të dyshuarin kryesor por më vonë ai u zgjodh anëtar i parlamentit rus dhe Moska refuzoi ta dërgonte në Londër për t’u marrë në pyetje.

Vetë Lugovoi, gjithashtu një ish-agjent i KGB-së, i mohon akuzat që i atribuohen nga drejtësia britanike. Kryeministri David Cameron bisedoi për çështjen në fjalë në takimin me presidentin Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij të fundit në Londër.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB