Përshkallëzohen luftimet mes forcave të regjimit të Assad dhe rebelëve në periferitë e kryeqytetit Damask.
Aktivistët raportojnë për mediat ndërkombëtare luftime të ashpra në jug të Damaskut, ndërsa media shtetërore e regjimit flet për qindra “terroristë” të vrarë nga sulmet e ushtrisë.
Opozita lëshon alarmin për situatën e rëndë humanitare në Damask, Aleppo dhe Idlib ku prej ditësh vijojnë bombardimet nga ajri të forcave ajrore qeveritare. Sipas aktivistëve opozitarë, sulmet nuk bëjnë më dallimin mes civilëve dhe anëtarëve të Ushtrisë së Lirë Siriane, por qëllojnë gjithcka duke rritur numrin e viktimave mes qytetarëve të paangazhuar në konflikt.
Raportohet se forcat opozitare kanë marrë kontrollin në pikëkalimin kufitar Tal al-Abyad në kufi me Turqinë, pas rreth 24 orësh luftime me forcat e regjimit. Marrja e pikëkalimit kufitar është përshëndetur nga të zhvendosurit e konfliktit që ndodhen të strehuar në kampet e ngritura nga Turqia pranë kufirit me Sirinë.
Përshkallëzimi i dhunës mbërrin në një moment kur Kombet e Bashkuara vendosën në “listën e zez” Sirinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe përpara drejtësisë ndërkombëtare në një të ardhme mund të dalin si anëtarët e regjimit të Assad, përfshirë edhe këtë të fundit, po ashtu edhe eksponentë të opozitës.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salhi mbërriti në Damask për të zhvilluar një takim me presidentit Basha al-Assad dhe zyrtarë të tjerë të lartë të regjimit. Irani akuzohet nga perëndimi dhe forcat opozitare në Siri si dora që ndihmon masakrat e Bashar al-Assad me ligjistikë dhe trupa ushtarake.
Top Channel