Pas paralajmërimeve se një dëshmitar i mbrojtur me pseudonimin e E1 do të dëshmojë në rastin ‘Monstra’ kundër të dyshuarve për vrasjen e pesë peshkatarëve maqedonas, janë ngritur dyshimet dhe shqetësimet për një proçes të montuar dhe jotransparent gjyqësor.

Sipas Naser Raufit, avokatit që mbron personat e dyshuar, dëshmitari i mbrojtur pas 10 ditëve pritet të japë dëshminë e tij para trupit gjyqësor dhe akovatëve, me figurë të fshehur dhe zë të ndryshuar, për shkaqe sigurie.

“Sipas meje është më se e qartë se dëshmitari i koduar ose i kanosur është rezultat i mungesës së provave. Ai propozohet dhe prezantohet si dëshmitar i koduar pas një intervali të gjatë kohor prej katër muaj e gjysmë, apo 135 ditëve. Mendoj se vetë intervali kohor tregon se është dëshmitar i dyshimtë”, thotë Raufi.

Avokati Naser Raufi dyshon se paraqitja e dëshmitarit të mbojtur në rastin ‘Monstra’ është një skenar i përgatitur nga Beogradi.

“Personalisht mendoj që mund të ketë gisht Beogradi, pasi kam dëgjuar nga mediat e Beogradit se do të ketë një dëshmitar të mbrojtur dhe mendoj se është një skenar dhe dyshoj se ka dëshmitar për këtë rast. Se në rast se do të ekzistonte një dëshmitar i tillë, kjo do të ishte prezantuar më herët”, shton Raufi.

Pas njoftimeve për dëshmitarin e mbrotjur, partia shqiptare në opozitë RDK ka kërkuar përfshirjen e Byrosë Federale amerikane të Hetimeve, FBI, në këtë proçes gjyqësor për të anashkaluar dyshimet për një proçes të montuar.

Vrasja e pesë peshkatarëve maqedonas ndodhi në prill të këtij viti. Katër nga të dyshuarit për këtë vepër ndodhen në burgjet e Manastirit dhe Prilepit, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë në arrati.

Top Channel