Kostoja e lartë që do të arrijë zbatimi i projektligjit për të drejta të vecanta për forcat maqedonase të sigurisë nëse miratohet në parlament, mund të shkaktojë një krizë ekonomike në Maqedoni, të ngjashme me krizën greke.

Edhe pse në draft nuk është precizuar shuma që do të shpenzohej për zbatimin e këtij ligji, sipas Partisë Demokratike Shqiptare, kostoja e tij mund të arrijë deri në 400 milionë euro.

“Nëse marrim parasysh cfarë është parashikuar në ligj, duke pas parasysh edhe shpërblimet në para nga njëra anë, nga ana tejtër edhe rregullimi i cështjes së strehimit të Forcave të Armatosura të Maqedonisë, me siguri bëhet fjalë për një kosto buxheti goxha të lartë që deri diku parasheh 1/3 e buxhetit të Maqedonisë. Dhe në kohën kur Ministri i Financave flet që Maqedonia ka hyrë në recesion një ligj i tillë dhe një kosto financiare e tillë nuk bën gjë tjetër vetëm se e sjell skenarin e krizës greke në Maqedoni”, deklaroi Zijadin Sela, deputet i PDSH-së.

Ndërkohë, në tentim për të bllokuar projektligjin e VMRO-DPMNE-së, deputeti i BDI-së Talat Xhaferi po vazhdon me fjalimin maratonik të nisur 13 ditë më parë në komisionin parlamentar për punë dhe politikë sociale. Ai ka tërhequr vërejtjen se përvec ndarjes së partive në baza entike, projektligji i partisë së kryeministrit do të ketë pasoja edhe për qytetarët.

“Në mënyrë institucionale ne po bëjmë cmos që këtë logjikë të komunikimit ta parandalojmë për faktinq ë pasojat e miratimit të mundëshëm do të jenë të kësaj natyre”, tha zoti Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Dy partitë që përbëjnë koaliconin qeveritar ende po qëndrojnë në pozicionet fillestare sa i përket projektligjit që shkaktoi krizë mes tyre. VMRO-DPMNE këmbëngul që projektligji të miratohet në Kuvend, ndërsa BDI kërkon që në të përfshihen edhe ushtarët e UÇK-së, ose të tërhiqet nga procedura parlamentare.

Top Channel