Greqia ka marrë miratimin nga financuesit e saj për masat e prezantuara për të arritur objektivin e një plani anti-krizë prej 12 miliardë eurosh, sipas kërkesave të Trojkës.

Lajmin e ka bërë të ditur një burim pranë qeverisë së Athinës, që ka sqaruar se vendi është gjithnjë e më pranë marrëveshjes me inspektorët ndërkombëtarë.

Marrëveshja në fjalë, gjithmonë nëse nënshkruhet, do të sjellë zhbllokimin e këstit të ri të ndihmave për shtetin helen, që ndodhet në makthin më të keq ekonomik.

“Bisedimet me Trojkën vazhdojnë, por hendeku mes palëve është ngushtuar”, ka deklaruar burimi, pa dhënë detaje të tjera.

Për të siguruar ndihmën e radhës prej 31.5 miliardë eurosh, pa të cilën ekonomia greke rrezikon të mbetet pa likuiditet financiar, kryeministri Andonis Samaras njoftoi më herët gjatë muajit shkurtime të mëtejshme.

Samaras deklaroi se Athina do të plotësojë kërkesat e Trojkës për të siguruar këstin në fjalë dhe për të qëndruar në zonën euro, dalja nga e cila sipas tij do të ishte fatale për vendin.

“E vërteta është se Greqia ka arritur shumë pranë daljes nga euro, por kjo është një hipotezë që do të sillte vdekjen e vendit dhe që përbën një kërcënim që duhet ta shmangim”, deklaroi Samaras.

“Duhet ta shmangin këtë kërcënim, të rekuperojmë kredibilitetin dhe të mbajmë vendin në zonën euro. Për këtë po luftojmë”, tha ai disa ditë më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA