Gjeorgji, protesta popullore pas videoskandalit

19/09/2012 15:50

Protesta të fuqishme anti-qeveritare janë duke u mbajtur në Republikën ish-Sovjetike të Gjeorgjisë, pasi një video amatore tregoi se si dhunoheshin të burgosurit nëpër institucionet e vuajtjes së dënimit në vend.

Në video, gardianë me uniformë paraqiten duke rrahur në mënyrë brutale disa të burgosur, ndërsa njëri prej tyre abuzohej seksualisht.

Ministri i Brendshëm, nga i cili varen burgjet, paraqiti dorëheqjen e tij disa orë pasi video u transmetua nga një televizion kombëtar mbrëmjen e së martës.

Sipas maxhorancës, video nuk ka asgjë të vërtetë dhe ajo është montuar nga opozita për të diskretituar pozitën në prag të zgjedhjeve të rëndësishme qeveritare.

Presidenti i vendit, Mikheil Saakashvili, shprehu të gjithë “përbuzjen dhe irritimin” e tij ndaj atyre që “orkestruan dhe transmetuan videon e sëmurë”.

Megjithatë, raportet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut i japin të drejtë filmimave, pasi prej kohësh, Gjeorgjia figuron midis vendeve më problematike në botë për respektimin e të drejtave të të burgosurve.

Saakashvili fitoi pushtetin pas në revolucioni në vitin 2004 dhe premtoi masa të menjëhershme ndaj zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve rusë, që sipas tij kishin gjetur një “parajsë” në Gjeorgji.

Megjithatë, vendi vazhdon të vuajë nga korrupsioni i gjithëpërhapur dhe Saakashvili ka humbur shumë popullaritet, pas luftës së përgjakshme në të cilën përfshiu vendin përballë Rusisë, në vitin 2008.

Si rrjedhojë e atij konflikti, Gjeorgjia humbi “de facto” sovranitetin mbi dy krahina të mëdha me rëndësi thelbësore ekonomike, të banuara nga rusë etnikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA