Egjiptit i vjen keq për vonesat në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka marrë këtë mesazh nga ministri egjiptian për Çështjet Parlamentare, Muhamed Mahsub, gjatë takimit të zhvilluar në Kajro.

“Na vjen keq për vonesën në njohjen e shtetit të Kosovës, por ju kërkojmë mirëkuptim për shkak të gjendjes aktuale në të cilën ndodhet Egjipti”, ka deklaruar Mahsub.

Delegacioni kosovar që po viziton zyrtarisht Egjiptin ka zhvilluar takime me përfaqësues të komisioneve të ndryshme parlamentare, të cilët e kanë cilësuar vizitën e kolegëve si shenjë pozitive drejt njohjes së Kosovës.

Në bisedimet e zhvilluara të dyja palët kanë rënë dakord për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në sektorin ekonomik.

Aktualisht Kosova është njohur si shtet i pavarur nga mbi 90 vende të botës, por për numrin e saktë të tyre ka paqartësi, pasi disa herë është paralajmëruar njohja, por që më vonë nuk ka ardhur.

Top Channel