
Në ditën e dytë të Champions League, në arenën e futbollit europian do të zbresin kampionët në fuqi të Celsit, të cilët do të përballen me Juventusin.
Skuadra italiane e rikthyer pas disa vitesh në këtë aktivitet ndërkohë që sërish edhe në këtë kompeticion do të jetë pa trajnerin e saj në pankinë. Pavarësisht se janë kampionët në fuqi, trajneri Roberto Di Mateo ka deklaruar se do të jetë shumë e vështirë për Blutë që të përsërisin të njëjtin sukses.
“Cdo vit në këtë aktivitet futen skuadra të reja dhe akoma më të forta, siç është PSG apo edhe Juventus. Eshtë e provuar, askush nuk e përsërit dot një sukses të dytë radhazi në Champions”, thotë Di Mateo.
Ndërkohë zv/trajneri i Juventusit, Masimo Karrera, që drejton skuadrën nga pankina në mungesë të Kontes, shprehet shumë i kënaqur që do të jenë sot në “Stemford Brixh” ku do të përballen me kampionët në fuqi.
Gjithashtu Barcelona do të debutojë në këtë sezon të ri të Champions League ku do të përballet me Spartakun e Moskës. Kjo ndeshje do të jetë një debutim edhe për trajnerin e ri të Barçës, Tito Vilanova.
“Eshtë e vërtetë që ne pesë vitet e fundit kemi arritur pesë herë në gjysmëfinale, por kjo nuk do të thotë të nënvlerësojmë kundërshtarët. Na duhet të fitojmë dhe të luajmë për fitore, kjo skuadër duhet të fitojë kudo, në çdo veprimtari.”
Vilanova, i cili mbushi 44 vjeç ditën e hënë, ndoshta nuk e ka respektin e Guardiolës, megjithatë për kaq kohë sa drejton Barcelonën ka treguar se di ta bëjë mirë këtë detyrë. Aktualisht Barça është skuadra e vetme që i ka fituar të gjitha ndeshjet në kampionatin spanjoll deri tani.
Bajerni i Mynihut do të fillojë aventurën europiane në kërkim të trofeut pasi humbi finalen e vitit të shkuar me Celsin. Skuadra bavareze do të luajë sot përballë Valencias në Spanjë, një ndeshje kjo e vlefshme për grupin F. Ata janë dhe favoritët kryesorë për të dalë në krye të grupit pasi rivalët e gjermanëve në letër janë të lehtë, Bate Borisov dhe Lila e Francës.
Me një tjetër synim e fillon këtë aktivitet Manchester United, i cili u eliminua që në fazën e grupeve në edicionin e shkuar. Skuadra e drejtuar nga Sër Aleks Ferguson do të luajë sot përballë Gallatasarait. Kjo është hera e 18-të për skuadrën e Manchesterit që merr pjesë në Champions League, një rekord më vete, ndërkohë që në mbrëmjen e sotme edhe pse nuk do të ketë Uejn Runin, holandezi Robin van Persi është i gatshëm për debutimin e tij të madh me Manchesterin në Champions League.
Përballë tyre është Gallatasarai. Skuadra turke rikthehet në Champions pas 6 vitesh dhe në bazë të statistikave nuk ka fituar anjëherë përballë klubeve angleze nga 7 ndeshjet që ka zhvilluar. Aktualisht ata udhëheqin kampionatin turk pasi kanë fituar 3 nga 4 ndeshjet, gjithsesi, përballja e sotme në “Old Traford” nuk i sheh aspak si pretendentë.
Këto por edhe ndeshjet e tjera të mbrëmjes së sotme, si gjithmonë do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë në paktetësn Supersport të platformës Digitalb në standartin HD.
Top Channel