
Pas takimeve në Bashkimin Europian dhe në NATO, presidenti Bujar Nishani u takua me përfaqësuesë të mërgatës shqiptare në Bruksel.
Krijimi i një ministrie për emigracionin, mësimi i gjuhës shqipe, e drejta e votës, lehtësimi i proçesit për marrjen e një çertifikate, apo i shtetësisë shqiptare, janë disa nga problemet që hasin shqiptarët jashtë atdheut, për të cilat presidenti premtoi se do t’ia transmetojë qeverisë dhe Parlamentit.
“Nuk mund të jetë shqetësim kjo gjë dhe shteti ka gjithë detyrimet e për detyrë që të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për këto raste. Ajo që unë do të bëj është që do t’ia transmetoj menjëherë qeverisë“, deklaroi Nishani.
Nga ana e tyre, emigrantët treguan për problemet e ndryshme që hasin. “Kam dëgjuar nga drejtori i Gjëndjes Civile se është kompjuterizuar gjëndja civile, mirëpo konsullata apo konsulli thonë: “unë nuk kam akses”. Kjo me thënë të drejtën është pak alarmante, sepse konsulli, ambasadori janë përfaqësues serioz të shtetit e të mos kenë akses sa një punonjëse e gjëndjes civile që është trashur duke marrë prej 20 vjetësh atje në Shkodër, në një komunë, është pak paradoks”, u ankua një prej tyre.
“Hapim një numër telefoni celular në Shqipëri dhe ta mbyllin ata. Askujt nuk i shkon në mendje t’u thotë atyre kompanive se sa harxhon një klient atje për një vit, ne e harxhojmë për dy muaj. Emigracioni e jep aq kontribut sa që një e treta e popullit shqiptar me banim jashtë atdheut ta ketë një ministri”, tha një tjetër.
Nga ana e tij Nishani u përgjigj: “Në Shqipëri, ne në fakt nuk kemi një ministri, por ka një institut dhe drejtori të posaçme pranë Ministrisë së Jashtme, pra departament të posaçëm, i cili merret tërësisht me çështjet e diasporës. Por që pavarësisht si ndërtohet ky institucion, ne kemi nevojë ta kemi më dinamik”.
Numri i shqiptarëve në Belgjikë vlerësohet të jetë rreth 60 mijë. Ata kanë emigruar në periudha të ndryshme, para dhe pas viteve ’90, nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Top Channel