Një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës në botë u arrestua ditën e mërkurë në Venezuelë.
Kolumbiani Daniel Barrera, i njohur ndryshe si “I Çmenduri”, u prangos në San Kristobal, pranë kufirit me vendin e tij të origjinës, pas koordinimit të punës midis Shërbimeve Sekrete Venezueliane, Amerikane dhe atyre Britanike.
Presidenti i Kolumbisë, vendit eksportues më të madh të kokainës në botë, e konsideroi Barrerën si “njeriun më të kërkuar të kohëve moderne”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur një shpërblim prej pesë milionë dollarësh për informacionet që do të çonin në arrestimin e tij, po aq sa për kokën e Bin Ladenit.
Kolumbia kishte vendosur edhe ajo nga ana e saj një shpërblim prej 2,7 milionë dollarësh.
”Perandoria” kriminale e Barrerës u ngrit nëpërmjet furnizimit me kokainë të tregut amerikan dhe atij europian.
”Bosi” fitoi statusin e legjendës në vend, jo vetëm falë jetëgjatësisë së tij, por edhe për aftësinë për të punuar me të gjitha palët gjatë konfliktit civil 48-vjeçar në Kolumbi.
Daniel Barrera, i cili i dedikoi 20 vjet të jetës së tij drejtimit të një prej karteleve më të fuqishëm të drogës në botë, është bosi i tretë i krimit amerikanolatin i arrestuar në Venezuelë gjatë vitit.
Mbi të rëndojnë akuza të shumëfishta vrasje, trafiku ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe drejtimit të krimit të organizuar.
Top Channel