Casey Stoner nuk garon në Moto GP që nga prova e Indianapolis (një muaj më parë) kur një rrëzim i frikshëm i dëmtoi rëndë kaviljen e këmbës së djathtë gjatë ditës së provave zyrtare.
Rekuperimi i australianit të Hondës po ecën mirë dhe vetë piloti u shpreh për një televizion australian se po shërohet siç duhet.
“Kirurgu bëri një punë të shkëlqyer dhe po rekuperohem shpejt. Gjithashtu më ka lënë shumë pak shenja”, theksoi Stoner, i cili është i bindur se do të jetë në Cmimin e Madh të Australisë që do të zhvillohet në pistën e Philip Island.
“Do të jetë e vështirë fitorja në këto kushte, por garantoj që do të jem në pistë edhe i lidhur në motor. Duhet të jem patjetër në atë garë” deklaroi 2 herë kampioni i botës në Moto GP.
“Do më pëlqente të kthehesha në dy garat para asaj të Australisë, por më mbetet vetëm të shpresoj”, shtoi Stoner.
Casey Stoner ka bërë të ditur tërheqjen nga Moto GP në fund të këtij sezoni edhe pse është vetëm 26 vjeç.
Top Channel