Arratisen 130 të burgosur meksikanë, SHBA në alarm

18/09/2012 15:45

Më shumë se 130 të burgosur janë arratisur nga një burg i sigurisë së lartë, pranë kufirit me SHBA-në, në veriun e Meksikës.

Të burgosurit, të ndihmuar nga errësira, u arratisën nëpërmjet një tuneli të gërmuar nga një dhomë e burgut, deri përtej perimetrit të mbrojtur nga policët.

Drejtori i burgut dhe dy përgjegjës të tjerë të lartë u arrestuan, me dyshimin se mund të jenë pjesë e këtij plani të mirëorganizuar kriminal.

Një operacion i madh kërkimi është lëshuar nga autoritetet meksikane, ndërsa policia kufitare amerikane është vendosur në alarm, nga mundësia që ndonjë prej kriminelëve të përpiqet të kalojë kufirit.

15 mijë dollarë shpërblim është ofruar prej Meksikos zyrtare për cilindo që do të ofrojë informacione për arrestimin e të arratisurve, midis të cilëve të dënuar për vrasje, trafik droge dhe për pjesëmarrjen në organizata të krimit të organizuar.

Kjo nuk është hera e parë që të burgosur arrijnë të arratisen nga burgjet në shtetin e Koahiljës, por asnjëherë nuk ishte regjistruar një eksod i tillë kaq i madh nga qendrat e vuajtjes së dënimit.

Top Channel